Mosha biologjike dhe rreziku për kancer

Plakja është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për shumë lloje kanceri, që do të thotë se sa më i madh të jesh në moshë, aq më i lartë është rreziku për t'u diagnostikuar me kancer. Megjithatë, ekspertët po kuptojnë gjithnjë e më shumë se mosha nuk është thjesht numri i viteve të jetuara, por edhe gjurmët që lë në organizëm mënyra e jetesës, stresi dhe gjenetika. Kjo shpesh quhet mosha biologjike e një individi.

Ndryshe nga mosha kronologjike, mosha biologjike mund të ndryshojë në varësi të faktorëve të jetesës, si dieta, aktiviteti fizik, shëndeti mendor dhe ekspozimi ndaj ndotjes dhe stresit mjedisor. Sipas studiuesve, gjeneratat e reja po plaken më shpejt se sa pritej, ndoshta sepse ekspozohen më herët ndaj faktorëve të dëmshëm, si ndotja e ajrit, stresi kronik dhe ndryshimet në mënyrën e jetesës. Megjithatë, edhe pse është e qartë se plakja e përshpejtuar lidhet me një rrezik më të lartë për disa lloje kanceri, ende nuk është plotësisht e kuptuar si dhe pse ky proces ndikon në zhvillimin e kancerit të hershëm. Për këtë arsye, nevojiten kërkime të mëtejshme për të sqaruar këtë lidhje.

Faktorët që ndikojnë në moshën biologjike

Për të shqyrtuar lidhjen midis moshës biologjike dhe rrezikut të kancerit tek të të rinjtë (37-54 vjec), janë analizuar të dhënat e 148,724 individëve nga baza e të dhënave UK Biobank. Studiuesit përdorën nëntë biomarkerë në gjak, të cilët njihen për korrelacionin me plakjen e trupit. Këto përfshijnë nivelet e albuminës, kreatininës, glukozës, proteinës C-reaktive, limfociteve, qelizave të kuqe dhe tw bardha të gjakut, fosfatazës alkaline, dhe ndryshimeve në madhësinë e qelizave të kuqe të gjakut.

  • Albumina: një proteinë e prodhuar nga mëlçia, nivelet e saj priren të ulen me kalimin e viteve.

  • Kreatinina: një produkt i mbetjeve metabolike, i krijuar nga tretja e proteinave dhe shpërbërja e muskujve. Përdoret si tregues i funksionit të veshkave. Nivelet më të ulëta janë lidhur me jetëgjatësi më të lartë.

  • Glukoza: sheqeri në gjak, i cili rritet pas vakteve. Me plakjen, trupi e metabolizon më ngadalë, duke bërë që nivelet e glukozës të qëndrojnë të larta për më shumë kohë.

  • Proteina C-reaktive (CRP): një proteinë e prodhuar nga mëlçia si përgjigje ndaj inflamacionit. Nivelet e larta të CRP lidhen me një proces më të shpejtë të plakjes.

  • Përqindja e limfociteve: një nënlloj i qelizave të bardha të gjakut, të cilat janë thelbësore për funksionin imunitar. Me kalimin e viteve, përqindja e limfociteve zvogëlohet.

  • MCV: një matje e madhësisë mesatare të qelizave të kuqe të gjakut. Me plakjen, këto qeliza kanë tendencë të bëhen më të mëdha.

  • RDW: Mat ndryshimin në madhësinë e qelizave të kuqe të gjakut. Një variacion më i madh në përmasa është i lidhur me plakje më të përshpejtuar.

  • Fosfataza alkaline: një enzimë kryesisht e prodhuar nga mëlçia dhe kockat. Nivelet e saj rriten me moshën, duke reflektuar ndryshime në funksionin e mëlçisë ose kockave.

  • Numri i qelizave të bardha të gjakut: një tregues i përgjithshëm i shëndetit imunitar. Vlera të larta, edhe pse brenda kufijve të normales, mund të jenë një shenjë e një procesi më të shpejtë të plakjes.

Këto të dhëna u analizuan duke përdorur një algoritëm të quajtur PhenoAge, i cili llogarit moshën biologjike të individëve bazuar në këto parametra dhe e krahason atë me moshën e tyre reale (kronologjike).

Më pas, studiuesit kontrolluan regjistrat e kancerit për të parë sa nga pjesëmarrësit ishin diagnostikuar me kancer para moshës 55 vjeç. Ata zbuluan se në këtë grup kishte rreth 3,200 raste të tilla.

Çfarë na tregon plakja e përshpejtuar për rrezikun për kancer?

Studiuesit zbuluan se plakja e përshpejtuar lidhej me një rritje të konsiderueshme të rrezikut për disa lloje të kancerit:

  • 42% rrezik më të lartë për kancerin e mushkërive

  • 22% rrezik më të lartë për kanceret e traktit tretës (stomak dhe zorrë)

  • 36% rrezik më të lartë për kancerin e mitrës

Edhe pse studimi nuk ishte i dizajnuar për të dhënë një përgjigje të saktë mbi pse disa lloje të kancerit duket se kanë një lidhje më të fortë me plakjen e përshpejtuar, disa shpjegime të mundshme mund të jenë se:

  • Mushkëritë mund të jenë më të ndjeshme ndaj plakjes sesa inde të tjera, sepse kanë një aftësi të kufizuar për rigjenerim, gjë që mund t’i bëjë më të prekshme ndaj ndryshimeve të lidhura me moshën.

  • Kanceri i stomakut dhe zorrëve lidhen shpesh me inflamacionin kronik, i cili rritet me kalimin e moshës dhe mund të ndikojë në zhvillimin e këtyre tumoreve.

Studimet për të zbuluar mekanizmat që nxisin plakjen e përshpejtuar dhe zhvillimin e kancerit në moshë të re janë të shumtë. Qëllimi i tyre është të krijojnë strategji të personalizuara për parandalimin e kancerit

Previous
Previous

ADN tumorale qarkulluese (ctDNA) në kancerin e gjirit

Next
Next

Filgrastim (Neupogen)