Çfarë është instabiliteti mikrosatelit (MSI)?
Në vitet e fundit, pacientët e diagnostikuar me kancer, dëgjojnë çdo herë e më shpesh termin “instabiliteti mikrosatelit”, ose “MSI”. Veçanërisht nëse diskutohet për sensitivitetin e tumorit ndaj imunoterapisë.
Çfarë është “instabiliteti mikrostatelit”?
ADN-ja përbëhet nga 4 çifte bazash (A, T, C, G) të lidhura me njëra-tjetrën në kombinime të ndryshme. Nëse do të shihje të 3 miliard bazat në sekuenca që përbëjnë ADN-ën, do të të dukeshin si të shpërndara në mënyrë rastësore. Por, në mes të rastësisë, do të mund të vije re sekuenca të shkurtra që përsëriten përgjatë ADN-së, të përbëra nga vetëm 1 ose 2 çifte bazash.
Këto sekuenca përsëritëse janë mikrosatelitët që na japin në fakt shumë informacion. Psh. vendndodhja e mikrosatelitëve është një tipar i trashëguar, kështu mund të kuptojmë nëse dy individë janë pjesë e një familje ose jo.
Çfarë është instabiliteti i mikrosatelitëve?
Kur ADN-ja ndahet për tu replikuar dhe riformuar, ngjason me një zinxhir. Ajo riformohet në të njëjtin rend të mëparshëm, sepse çiftet e bazave mund të lidhen vetëm në atë rend specifik. Adenina (A) dhe Timina (T) mund të lidhen vetëm me njëra-tjetrën, ashtu siç Citozina (C) dhe Guanina (G) mund të lidhen vetëm me njëra-tjetrën.
Kështu që:
Nese në njërën anë do të kishe: ATCGTGA
Në anën tjetër do të kishe: TAGCACT
Por, në një mikrosatelit, është pak më e vështirë të ruhet rendi:
Nëse në njërën anë do të kishe: AAAAAAAT
Në anën tjetër do të kishe: TTTTTTTTA
Njësoj si të humbasësh një pullë nga këmisha, me kaq shumë baza të njëjta në të njëjtin rend, është më e thjeshtë që njëra prej tyre të humbasë gjatë riformimit të ADN-së. Megjithatë, njësoj siç ti do të rregulloje pullën e këmishës, edhe ADN-ja bën të njëjtën gjë: rregullon gabimin që ka ndodhur. Gjene specifike monitorojnë ADN-ën për gabime dhe i korrigjojnë ato. Aftësia e ADN-së për të korrigjuar këto gabime njihet si “mismatch repair” (MMR). Ky mekanizëm ndihmon në mos lejimin e instabilitetit mikrostatelit.
Instabiliteti ndodh kur këto gjene nuk funksionojnë. Në këtë rast, me replikimin e ADN-së, gabimet nuk mund të korrigjohen, dhe me çdo replikim akumulohen më shumë gabime.
Kjo është arsyeja pse termi MSI shpesh zëvendësohet nga termi MMR (mismatch repair). Këta janë dy terma për të njëjtin problem: qeliza e ka humbur aftësinë për të korrigjuar gabimet në ADN. Kur MSI është prezente, i referohemi si “MSI – High”.
Çfarë rëndësie ka MSI për trajtimin e kancerit?
Përsa i përket prognozës, prezenca e MSI, pra MSI-high është një tipar i mirë. Tashmë është e konfirmuar se kanceri i stadit të hershëm me prezencë të instabilitetit mikrosatelit (MSI-High) ka më pak gjasa që të rikthehet.
Ndërsa, përsa i përket stadeve të avancuara të sëmundjes, para zbulimit të imunoterapisë, prezenca e instabilitetit mikrosatelit, nuk ishte një lajm i mirë. Këto tumore mund të krijonin mutacione më me shpejtësi dhe të ndryshonin më shpejtë, duke fituar aftësinë për të metastazuar në organe të tjera dhe të shmangin më mirë sistemin imunitar.
Por me aplikimin e imunoterapisë, prognoza e këyre tumoreve ka ndryshuar. Tashmë, ne e dimë se nëse ka prezencë të MSI, edhe në stade të avancuara, mundësia qe tumori t`i përgjigjet trajtimit me imunoterapi është shumë e lartë.
Si e kutptojmë nëse ka prezencë ose jo të MSI?
Një gjë që duhet të mbajmë mend për MSI, është që është një tipar i rrallë. Haset më shpesh në kancerin e kolonit, por në të gjithë lojet e tjera të tumoreve, është më i rrallë.
Përsa i përket kancerit të kolonit, është pjesë e testimit rutinë, por po kërkohet çdo herë e më shpesh edhe në lloje të tjera të kancerit, si ai kanceri i endometrit, kanceri i stomakut dhe të tjerë.
Testimi kryhet në indin tumoral të marrë gjatë biopsisë. Flisni me mjekun onkolog për të kuptuar më shumë dhe nëse duhet të kryeni ose jo testin e MSI.